Migrim i pa kuptimtë!

b_500_500_16777215_00_http___lebenstattflucht.ch_wp-content_themes_tdh_Schweiz_img_TDH_ILLUSTRATION-big.jpeg

Ditëve të fundit kanë lëshuar shumë qytetar Kosovën. Thuhet se një numër i madh i tyre po kërkojnë azil në shtetet e Evropës. Kjo formë e azilkërkimit hynë në kategorinë e azilkërkuesve ekonomik. Por, shume vende të Evropës nuk japin më azil ekonomik. Zvicra, për shembull, shqyrton këto kërkesa brenda 48 orëve, kurse në Gjermani, procedura për te shqyrtuar një kërkesë për azil zgjat disa muaj. Pas shqyrtimit të kërkesave për azil, gati te gjitha ato refuzohen, kur ka të bëjë me azilkërkues nga një vend i sigurt ballkanik, e këtu bën pjese edhe Kosova. Për më tepër, një numër i madh i tyre nuk do të ketë gjasa as edhe për ankimim. Për shembull, dikund gjer ne muajin mars do mund te qëndrojnë te gjithë ata të cilët kanë bërë kërkesë në janar të këtij viti. Pas kësaj do të filloj riatdhesimi i tyre, që sipas të gjitha gjasave, do të bëhet prapë me autobusë!(Foto: terre des hommes kampagne)

Të njëjtin fat e përjetuan edhe shumë qytetarë nga Lugina e Preshevës, të cilët pas legalizimit të vizave për Serbinë ikën me autobusë në drejtim të Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. Një numër i madh i tyre nuk fituan azil, mbetën rrugëve të Evropës dhe më në fund u riatdhesuan; pikërisht me autobusë në vendet prej nga erdhën. Shumë prej tyre, jo vetëm që humbën ato pak para apo pasuri që posedonin, por ata edhe morën ndalesa për disa vite për të vizituar të afërmit e tyre dhe vendet Evropiane.

Dallimi i refugjatëve nga Lugina, me ata nga Kosova, është se refugjatët nga Lugina kalimin e kufijve mund ta bënin  legalisht pasi qe posedonin nënshtetësinë serbe, përfitonin nga liberalizimi i vizave. Kushtet atmosferike mundë të jenë fatale për shumë familje me fëmijë nga Kosova, sidomos gjatë kalimi ilegal të kufirit serbo-hungar. Këta refugjatë siç duket nuk kanë llogaritur rrezikun e largimit në krahasim me përparësinë e kësaj ikje. Lëshimi i vendit në bazë të kalkulimeve të pa matura dhe informacioneve për qëllime përfitimi (pra te rrejshme), se gjoja Gjermania apo vendet Evropiane japin lejeqëndrim për qytetarët nga Kosova, është një migrim i pa kuptimtë. Ky migrim me përmasa të këtilla nuk do të kishte ndodhur po të kishte një informim të mirëfilltë nga media por edhe nga qeveritë komunale dhe qendrore, duke i pasur parasysh përvojat e më hershme në rajon.

Shkruan, Muhamet Ilazi*

*Autori është i specializuar në çështjet e migrimit në Zvicër.

Rainca.com, 05.02.2015