Arrestimi i librave në Luginë të Preshevës

b_350_250_16777215_00_http___gazetaora.com_wp-content_uploads_2013_10_Fidan-N.-Shaqiri.jpegShkruan: Fidan N. Shaqiri 

 

Rasti i fshatit Raincë të komunës së Preshevës, dhe hyrja e policisë në shkollën fillore të këtij vendbanimi për t’ia marrë librat nxënësve, tregon qartë se Serbia iu rikthye vitit 1990, kur u vërsul me të gjitha mjetet dhe metodat për asimilimin e shqiptarëve përveç tjerash edhe në arsim, kulturë dhe shkencë.

Në një situatë që akoma është tendencioze, dhe duke qenë në rritje zemërimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga shtypja e përditshme, heqja e Lapidarit dhe provokime të përditshme, ndodh që edhe në gjuhën tënde të mos guxosh të lexosh dhe të arsimohesh.

Dhe jo rastësisht Millosh Cërrnjanski, pati thënë: …Çdo shqiptar i shkolluar është një armik më shumë për shtetin e Jugosllavisë”. Tani që Jugosllavia nuk duket kund, serbët dhe pushtetarët po i ngjallin fjalët e tij, pas më shumë se 20 viteve.

Është më se e qartë se qeveria serbe jo që nuk është e interesuar të zgjidhë problemin e nxënësve shqiptarë i cili ekziston me dekada, por ajo me çdo kusht dhe në çdo formë po mundohet të ndalojë fëmijët që të arsimohen në gjuhën e tyre.

Po ia rikujtojmë qeverisë serbe Deklaratën Universale të Drejtave të Fëmijëve:

Neni 30

“Në shtetet ku ekzistojnë pakica etnike, fetare apo gjuhësore, ose persona me origjinë autoktone, një fëmije që i përket një minoriteti tё tillё ose është autokton, nuk duhet t'i mohohet e drejta për të pasur kulturën e vet, të ushtrojё dhe praktikojё fenё e vet, ose të pёrdorё gjuhёn e vet sё bashku me anëtarët e tjerё të grupit të tij.”

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kur bëhet fjalë për ngritjen e cilësisë së arsimit nëpër shkollat e Luginës, Ministria e Arsimit të Serbisë nuk ka ide se çfarë bëhet nëpër këto shkolla, dhe se nuk investon asnjë cent për ngritjen profesionale të mësimdhënësve.

E në rastin kur dikush ndërhyn për t’i ndihmuar këto institucione të lënë anash nga qeveria serbe, atëherë ajo kërcënon, dhe arreston librat!

Situata e brishtë politike në Luginë të Preshevës dhe lënia anash e këtij territori në të gjitha fushat, tregon më së miri se popullata e kësaj ane ka mbetur në harresë edhe nga faktori ndërkombëtar.

Popullata e Luginës së Preshevës ka mbetur komuniteti më i diskriminuar në Evropë, dhe se askush nuk po bën edhe hapin më të vogël për t’ia tërhequr vërejtjen Ministrisë së Arsimit të Serbisë.

Ku është bazuar ky anashkalim i qeverive të kaluara dhe kësaj aktuale, që të lihet anash ky territor, dhe që të mos zhvillohet kurrë siç duhet?!!

Ose, a po provojnë që edhe përmes kësaj forme të diskriminimit, të bëjnë zhvendosjen e popullatës në një territor më të favorshëm për këta shqiptarë (kryesisht në Kosovë), që t’i edukojnë dhe arsimojnë fëmijët e tyre pa ndonjë presion!?

Dhe a po ka sukses Qeveria e Serbisë, që t’i dëbojë në heshtje këtë popullatë edhe ashtu të anashkaluar?!

Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk e harron se çfarë duhet të bëjë që ta ketë vëmendjen e të tjerëve, prandaj përmes këtyre veprimeve ajo do të mundohet të përfitojë më vonë duke “përmirësuar gjendjen në arsim të Luginës së Preshevës”.

Por, duhet ta kenë të qartë shteti i Serbisë, se ka njerëz që kurrë nuk lajthisin, dhe se ata që më vonë kërkojnë lëvdata, ato nuk i meritojnë. Kurrë nuk arsyetohet qëllimi i mirë me një veprim të pamatur.

Nuk arrestohen librat, dhe asnjë pushtet nuk mund t’ia ndalojë një qytetari që të arsimohet në gjuhën e tij, sepse kjo është e drejtë elementare e gjithsecilit.

Serbia asnjëherë nuk ka qenë e interesuar për gjendjen ekonomike, sociale, arsimore e kulturore të popullatës së Luginës së Preshevës. Ajo ka qenë dhe është e interesuar vetëm për territorin e Luginës, përmes së cilës lidh Evropën me Azinë!

Shqiptarët e kësaj ane i patën provuar të gjitha format e diskriminimit, dhe megjithatë janë ende aty, qëndruan dhe do të qëndrojnë stoik ndaj çdo njollosje dhe shantazhi. Lugina e përjetoi shpërnguljen e madhe të vitit 1877 për në Turqi, por shqiptarët janë prapë aty. Lugina, dhe shqiptarët e kësaj ane, u larguan nga territori i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore me qëllim të asimilimit, por ajo është akoma aty.

U munduan edhe gjatë Luftës së UÇPMB-së të bëjnë zhvendosjen e popullatës shqiptare nga vendi i origjinës së tyre, por dështuan përsëri.

Dhe vazhdimisht po provojnë metoda të llojit të tyre për t’i larguar shqiptarët nga territori stërgjyshor.

Siç duket akoma Akademia e Shkencave të Serbisë po ia rikujton vazhdimisht pushtetarëve serb fjalët e të famshmit Çubrilloviq:

“Arnautët është e pamundur t'i shtypësh vetëm me kolonizim gradual... Mënyra e vetme dhe mjet i vetëm është dhuna brutale e një qeverie shtetërore të organizuar...”