Komandant Ajet Rainca me përmasa gjeopolitike!

b_444_602_16777215_00_images_Ajet_Raincajpeg

shkruar nga Muhamet Ilazi*

« Një binarë është i yni, një binar është i tyre »

Gjatë hulumtimeve të mia për një monografi digjitale për webfaqen Rainca.com në vitin 2016 pata hasur në një tregim të Qamil S. Llashticës nga pleqëria të publikuar më datë 12 Prill në gazetën Bota Sot. Ky rrëfim i tij tërhoqi vëmendjen time, sepse kishte të bënte me diskursin politik që zhvillohet tanimë nga disa autorë për kufijtë midis Kosovës dhe Serbisë. Këtë rrëfim të Qamil S. Llashticës për komandantin legjendar Ajet Rainca, i emëruar atëbotë nga Qeveria Shqiptare si përgjegjës i bisedimeve për vijën kufitare Preshevë – Bujanoc, vendosa ta shqyrtoj më në detaj dhe ta vë në analizë analogjike të diskursit të sotëm aktual politik.

Rreth shkathtësisë dhe heroizmit luftarak të komandant Ajet Raincës dhe luftëtarëve të tij është folur shpesh nga banorët e fshatit Raincë, sidomos pleqëria e këtij fshati ka folur me shumë entuziazëm.

Qamil S. Llashtica flet për një betejë midis forcave serbe dhe luftëtarëve shqiptarë të udhëhequr nga komandanti legjendar Ajet Rainca. Në vijim rrëfimi i tij i parafrazuar:

Ishte vjeshta e vitit 1944 dhe shqiptarët po i mbronin heroikisht kufijtë verilindor të Shqipërisë. Brigada e Ajet Raincës ishte vendosur në fushë përgjatë hekurudhës dhe luftarët thoshin asokohe se “Një Shinë është i yni, një Shinë është i tyre”. Në anën tjetër të vijës së frontit ishin vendosur forcat serbe me artilerinë e tyre gati për sulm. Luftëtarët nën komandën dhe mbikëqyrjen e Ajet Raincës ndërtonin istikame (llogore) gjatë ditës për t’i përforcuar pozicionet e tyre. Para se të vinte mbrëmja çdo gjë ishte gati, por dita ishte e shkurtër dhe kishte ra shpejt muzgu. Kur ishte errësuar mirë, atëherë komandanti kishte dhënë urdhërin, që trupat të tërhiqeshin për 100 hapa mbrapa nga vija e frontit dhe të fillonin të ndërtonin llogore të reja gjatë natës. Kjo nuk u kishte pëlqyer shumë luftëtarëve, por askush nuk guxonte të refuzonte komandantin. Ende pa u gdhi dita mirë kishin filluar sulmet e kobshme të artilerisë serbe në pozicionet e mëparshme të braktisura, këtë edhe e kishte pritur komandanti Ajet Rainca, sepse ai e dinte, se armiku kishte shenjtëruar këto pozicione. Ata bombardonin me topa të rëndë pamëshirshëm këto pozicione të braktisura nga luftëtarët, të cilët me padurim pritnin momentin e tyre. Ata tash kishin kuptuar këtë tërheqje taktike të komandantit të tyre. Ende pa gdhi dita mirë, kishte pushuar edhe artileria serbe dhe kishin filluar sulmet nga këmbësoria e tyre me britma dhe sharje në drejtim të këtyre pozicioneve, duke menduar se aty asnjë i gjallë nuk kishte mbetur më. Mirëpo luftëtarët nga pozicionet e reja me gishtin gati në këmbëz të pushkës, pritnin urdhrin e komandantit Ajet Rainca për shkrepje. Kjo pritje ishte për ta e gjatë, ku sekondat ishin thuajse vite. Kur forcat serbe afrohen shumë afër pozicioneve të vjetra, atëherë jehon pushka e komandantit Rainca dhe luftëtarëve të tij si rrufeja, ku asnjë prej armikut nuk mbeti i gjallë.

Kjo betejë heroike dhe shumë beteja tjera të brigadës së Ajet Raincë tek hekurudha e Raincës kanë pas padyshim përmasa historike dhe gjeopolitike, sepse ato mundë të jenë sot përcaktuese në marrëveshjet pretenduese paqësore midis Kosovës e Serbisë.

Nga kjo ngjarje historike mund të nxjerrim si konkluzion, se diskursi aktual politik për kufijtë nuk është diçka e re, sepse nëse guxojmë të themi, ajo i ka rrënjët e saja në historinë e luftërave të figurave të mëdha kombëtare; një ndër këta edhe si ajo e Ajet Raincës, i cili me dinjitet dhe trimëri atdhetare, mbrojti kufijtë shqiptarë në hekurudhën Preshevë-Bujanocë nga okupatorë të ndryshëm në periudhën e dy luftërave botërore.

(Burimi: Opinione “Ajet Rainca — Ushtarak i vërtetë” Nga: Qamil S.Llashtica Më: 12 prill 2016, Bota Sot)

*Autori është MA i Univerziteti të Zürichut, Studime Postdiplomike në Universitetin e Baselit si dhe ligjërues privat.

Ky shkrim dhe foto janë pronë e Rainca.com dhe ndalohet kopjimi si dhe postimi në faqet tera pa lejen e autorit.

Rainca.com, 15.04.2020